Lajme

Arrestohet përmbaruesi privat Fatos Alimadhi, si i përfitoi mbi 60 mijë euro me abuzime dhe mashtrim qytetarësh…

 

Përmbaruesi privat i arrestuar ditën e sotme nga policia e Tiranës, është 54-vjeçari Fatos Alimadhi, i cili akuzohet se ka shpërdoruar detyrën.

Gazetari Igli Çelmeta raportoi se Alimadhi kishte firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse të një shtetasi që kishte ndërruar jetë pasi kishte marrë kredi, por këtë bllokim e ka bërë pa njoftuar familjarët e të ndjerit.

Alimadhi është arrestuar edhe një herë më parë, në vitin 2018, sërish për shpërdorim detyre. Në atë vit ai u akuzua se duke shpërdoruar detyrën përfitoi nëpërmjet vjedhjes shumën prej 32.255 euro në lidhje me shitjen e një apartamenti.

Ndërsa në 2015 Fatos Alimadhi është gjykuar për mashtrim, pasi i ka marrë 4,5 milionë lekë të reja të disa qytetarëve që kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Account”.

Operacioni, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.

Vihet në pranga 1 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Procedohen penalisht 2 të tjerë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Account”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:

– F. A., 54 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. A., gjatë ushtrimit të funksionit si përmbarues privat, duke shpërdoruar detyrën, ka firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse të një subjekti privat, pa e njoftuar këtë subjekt.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit S. D., dhe P. Q., me detyrë përmbarues privat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Related Articles

Back to top button