E dhimbshme!Stuhia e fortë e erës regjistroi viktimën e saj të parë në qytetin e Kuçovës
Stuhia e fortë e erës regjistroi viktimën e saj të parë në qytetin e Kuçovës. Djali 26-vjeçar, që ishte duke punuar për montimin e një paneli diellor në shtëpinë e një të afërmi të tij, ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme.
Majkëll Vrapi ra nga soleta e shtëpisë si pasojë e erës së fortë por rrëzimi nga një lartësi rreth 3 metër i shkaktoi të riut nga fshati Tapi në rrethin e Kuçovës fraktura dhe shembje në të gjithë trupin.
Majkëll Vrapi u gjet pa ndjenja në tokë dhe u transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat.
Ai ju nënshtrua një ndërhyrjeje të menjëhershme kirurgjikale por për shkak të gjendjes së tij të rënduar, 26-vjeçari u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Mësohet se Vrapi nuk i mbijetoi dot plagëve të rënda dhe ndërroi jetë gjatë rrugës drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Familjarët e djalit të tyre të vetëm kanë hapur sot dyert e mortit, për ta përcjellë 26-vjeçarin drejt banesën të fundit.