“Pse më shave”- Sherri mes adoleshentëve në shkollë që la dy të plagosur
Një sherr për arsye banale midis nxënësve të një shkolle në Korçë ka përfunduar me dy persona të plagosur në spital, ndërsa një tjetër në prangat e Policisë.
Gjithçka ka nisur pas sherrit që nisi “Pse më shave”, ndërsa gjimnazistët janë përplasur me grushte dhe sende të forta brenda ambienteve të shkollës.
“Mesditën e djeshme, jemi njoftuar se në lagjen nr. 17, Korçë, në ambientet e një shkolle të mesme, janë përfshirë në një konflikt tre nxënës, të cilët për pasojë kanë marrë dëmtime fizike. Dy prej tyre, aktualisht po marrin mjekim në Spitalin e Korçës dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Autori i dyshuar i ngjarjes, (me dëmtime të lehta) ndodhet në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme”, sqaroi policia.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Bëhet fjalë për një nxënës të vitit të dytë, i cili ka dhunuar dy vëllezër që ndjekin studimet në shkollën profesionale të ndërtimit në vitin e parë.
Drejtori i kësaj shkolle, Dejvi Pllaha, sqaroi për mediat se nxënësit janë rrahur me grushte në oborrin e shkollës, vetëm disa orë pas ballafaqimit mes prindërve dhe fëmijëve. “Gjatë ditës së djeshme ka pasur një konflikt verbal mes nxënësve.
Konflikti ka ndodhur në shkollë. Ne kemi marrë të gjitha masat përkatëse përmes mësuesve kujdestar dhe komisionit të etikës, duke njoftuar prindërit. Janë paraqitur ditën e sotme, kanë komunikuar dhe kanë rënë dakord se ky ishe një veprim prej adoleshentësh dhe nuk kishte pse të agravonte.
Në pushim të madh me të dalë jashtë njëra palë ka sulmuar tjetrin, në oborrin e shkollës. Konflikti ka degjeneruar, por fatmirësisht jo me mjete prerëse. Njeri prej nxënësve ka një frakturë te hunda, tjetri një të çarë tek buza.
Ne do të marrim masa disiplinore. Unë kam 8 vjet që drejtoj këtë shkollë, kjo është hera e parë që ndodh një konflikt i tillë”, tha drejtori i shkollës.
Masa disiplinore parashikon ulje në notë deri në përjashtim nga shkolla.