Lajme

Strategjia e pabesueshme/Ja se per çfarë eshte duke i perdorur Rusia delfinet…

 

Shumë nga anijet ruse, të ankoruara në bazën detare të Sevastopolit, edhe pse jashtë rrezes së raketave, kanë rënë pre e sulmeve nënujore.

Me një lëvizje të çuditshme, Moska ka vendosur delfinë të stërvitur në bazën e saj detare në Detin e Zi, për të mbrojtur flotën e saj nga sulmet nënujore. Lajmi u bë i ditur nga “Corriere Della Sera”.

Instituti Detar i SHBA-ve (USNI), i cili ekzaminoi imazhet satelitore të marra në bazën detare në portin e Sevastopolit, njoftoi se, prej shkurtit, dy grup delfinësh janë vendosur aty si “ushtarë”, që kur filloi “operacioni ushtarak rus” në Ukrainë.

Rusia ka një histori të trajnimit të delfinëve për qëllime ushtarake dhe përdorimit të gjitarëve të zgjuar për të tërhequr sende dhe për të dekurajuar zhytësit armiq.

Baza detare e Sevastopolit është shumë e rëndësishme për ushtrinë ruse, pasi ndodhet në skajin jugor të Krimesë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014.

Sipas analizës së USNI-t, shumë nga anijet ruse të ankoruara atje, megjithëse janë jashtë rrezes së raketave, janë potencialisht të zbuluara ndaj sulmeve nënujore.

Gjithashtu, edhe Ukraina ka trajnuar më parë delfinët në një akuarium afër Sevastopolit, si pjesë e një programi që filloi në epokën sovjetike dhe u la mënjanë në vitet 1990.

Marina ukrainase u përpoq të ringjallte programin e Sevastopolit në vitin 2012, por gjitarët ranë në duart ruse pas pushtimit të Krimesë në 2014.

Më pas Kievi kërkoi kthimin e delfinëve, por pa dobi dhe Ria Novosti raportoi në atë kohë se Moska po planifikonte të zgjeronte programin.

Dy vjet më vonë, Marina Ruse njoftoi planet për të blerë pesë delfinë të tjerë, duke filluar një proces tenderimi për një kontratë 1.75 milionë rubla që do të përfshinte dorëzimin e delfinëve në Sevastopol deri në fund të verës.

Është e paqartë nëse delfinët, që janë sot në Sevastopol, janë të njëjtë me ata që janë blerë nga marina ruse sipas kontratës.

Imazhet satelitore nga viti 2018 kishin zbuluar se Rusia kishte përdorur gjithashtu delfinët në bazën e saj detare në Tartu gjatë luftës në Siri.

Related Articles

Back to top button