Lajme

Vrasësit në Shqipëri, Artan Hoxha flet për “fantazmën” që ekzekuton me të majtën

 

Në emisionin “Opinion” është diskutuar mbi personat e rrezikshëm në vendin tonë. Ndër të ftuarit, për të folur për këtë çështje ishin dy gazetarët, Artan Hoxha dhe Klodiana Lala.

Hoxha është ndalur në veçanti te Ibrahim Lici, të cilin e cilësoi me nofkën “fantazma”. Ai tregoi se Lici qëllon me të majtën dhe kjo është një ndër arsyet që ai nuk lë prova materiale, edhe pse dyshohet si i përfshirë në disa atentate.

“Gjëja që thashë që në fillim është se asnjë nga këta nuk është në nivelin e bosit akoma, edhe pse janë rritur shumë në hierarki, nuk janë në nivelin e bosit. Edhe pse janë në rrugë e sipër. Ata janë qitës direkt dhe kanë dhënë prova, prandaj janë kaq të rrezikshëm, sepse mund ta bëjnë vetë një krim. E treta, në hierarki, sipas të dhënave që ka në skedarët e vet policia jonë dhe sipas të dhënave që ka Interpoli për aktivitetin jashtë shtetit, Jani Aliaj dhe Laert Haxhiu, nuk jam i sigurt për Talo Çelën, dyshohet, kanë kryer vrasje me pagesë.

Ibrahim Lici nuk ka kryer vrasje me pagesë. Edhe pse është më i rrezikshmi nga të gjithë këta. Njihet me nofkën “Fantazma”. Qëllon me të majtën. Kujto ngjarjen e Boran Bërcanës dhe Silvi Ndocit, ku është dyshuar dhe aty autori është qitës me të majtën dhe nuk është provuar. Të gjitha ngjarjet, këta janë vrarë më 15 Korrik 2018. Po atë vit në Shtator u vra Arjan Ferracaku, po atë vit në Nëntor u vra Fatos Ferracaku.

Nuk është provuar dhe prandaj ekziston me këtë nofkë. Ibrahim Lici nuk është arrestuar, është tentuar të arrestohet. Është shoqëruar, madje ka shkuar vetë për të treguar që nuk ka qenë i përfshirë. Ai deri tani nuk është i dënuar. Vrasja e dy vëllezërve Bilali, ai ishte i dyshuari kryesor, por nuk ka dënim”,- tha Hoxha.

Nga ana tjetër, gazetarja Lala foli për snajperistin e rrezikshëm shqptar që dyshohet për atentatin ndaj Ardian Çapajt dhe Kastriot Reçit. Gazetarja tha se disponon foto të tij, por nuk e publikon pasi nuk ka akuzë.

“Aktualisht unë kam foton e snajperistit më të rrezikshëm shqiptar që dyshohet për atentatin ndaj Ardian Çapjajt dhe të Kastriot Reçit. Ai është në Kosovë tani, e kemi identifikuar vetëm prej tatuazhit që ka. Nuk e publikojmë foton sepse nuk ka akuzë zyrtare ndaj tij prandaj nuk e themi as emrin”, tha Lala.

(BalkanWeb)

Related Articles

Back to top button