Lajme

Tmerr në avion, biznesmeni rrëfen momentet e frikshme dhe tregon panikun që pa me sy: Shumë të plagosur, mendova ‘nuk kthehem dot më në shtëpi’

 

Të paktën 17 persona u plagosën në bordin e një avioni në Indi pasi pësoi turbulenca të forta përpara se të ulej në pistë të dielën në mbrëmje. Boeing 737, me rreth 200 pasagjerë dhe ekuipazh, po udhëtonte nga Mumbai në Durgapur. Amit Baul, i cili ishte në këtë fluturim, rrëfen kalvarin e përjetuar për BBC.

“Ishte një mbrëmje e ngrohtë e së dielës në Mumbai kur u nisëm në orën 17:13 për një fluturim dy-orësh për në qytetin lindor të Durgapurit, ku jetoj dhe punoj si biznesmen.

Nuk kishte asgjë të pazakontë gjatë fluturimit: avioni ishte i mbushur plot, ushqimi u shërbye në kohë dhe pasagjerët ose dremitën ose rrinin duke parë celularët e tyre. Kisha fluturuar mes Mumbai-Durgapur shumë në katër muajt e fundit dhe preferova SpiceJet sepse ofron një fluturim pa ndalesë.

Tridhjetë e pesë minuta para uljes së planifikuar, ndjeva disa turbulenca të lehta. Përsëri, asgjë e pazakontë për këtë. U ula në një ndenjëse në rreshtin e fundit dhe vendosa rripin e sigurimit.

Por ndërsa filluam të zbrisnim gjërat u përkeqësuan. 15-17 minutat e ardhshme ishin momentet më të këqija të jetës sime.

Nuk e di nëse ishte një stuhi, por avioni filloi të kërcente lart e poshtë dhe lëvizte edhe anash. Boeing 737 po shkonte lart e poshtë si një top gome.

Më dukej sikur do rrëzohesha nga një ndërtesë 100-katëshe. Shtrëngova rripin e sigurimit dhe u mbajta fort pas dorezës së sediljes.

Pashë pasagjerë, të cilët ndoshta kishin harruar të lidhnin rripat e sigurimit, duke “kërcyer” lart e poshtë nga sediljet e tyre dhe duke u goditur me pjesën e sipërme të avionit. Dy burra që ishin ulur pranë meje gjithashtu u lënduan sepse ndoshta nuk i kishin shtrënguar rripat.

Përballë meje ishte ulur një grua me vajzën e saj 11-vjeçare. Ato u hodhën përpjetë nga vendet e tyre disa herë, e kokat e tyre godisnin vendin e bagazheve.

Pasagjerët qanin dhe bërtisnin. Disa filluan të luten. U përpoqa të shikoja nga dritarja dhe vura re se ishte errësirë. Piloti vazhdonte të thërriste që pasagjerët duhet të vendosnin rripat e sigurimit.

Ishte kaos total. Shumë njerëz u lënduan, pashë njolla gjaku. Pasagjerët kërkuan akull për të pakdësuar dhimbjet dhe ënjtjet nga plagët e tyre.

Ishte një moment kur ndjeva se nuk do të kthehesha më në shtëpi. Kur avioni më në fund u ul në orën 19:15, u ndjeva sikur isha kthyer nga kthetrat e vdekjes”.

Related Articles

Back to top button