Zhdukja e 15-vjeçares në Greqi: Shqiptari e joshi me mesazhe të bukura të largohej nga shtëpia
Para pak ditësh një 15-vjeçare në Greqi u shpall e zhdukur nga familjarët e saj pasi ishte larguar nga shtëpia dhe s’ishte kthyer më.
Por brenda pak orësh Fotini nga Peristeri u gjet dhe u zbulua se kishte qenë me një shoqen e saj. Pas zbërthimit të bisedave të saj në rrjetet sociale, policia ka arritur të zbulojë se ku fshihej vajza dhe ka arrestuar tre persona pasi akuzohen për rrëmbimin e vajzës së mitur dhe bindjen e saj që të largohej nga shtëpia.
Tre të arrestuarit janë një shoqe 17-vjeçare e 15-vjeçares dhe nëna e saj 42-vjeçare , e cila priti vajzën në shtëpinë e tyre në Agios Panteleimon dhe një 22-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili jetonte në një kamp rom në Aspropyrgos.
Policia ka zbuluar se 15-vjeçarja, e cila u largua vullnetarisht nga shtëpia, po komunikonte online me 22-vjeçarin shqiptar i cili u lokalizua mëngjesin e djeshëm dhe u dërgua në burgun e Atikës Perëndimore. Mësohet se i riu shqiptar e ka kontaktuar vajzën në Instagram ku kanë folur dhe ai i ka thënë fjalë të bukura dhe më pas kanë lënë një takim në sheshin Agios Panteleimon. Ndërkohë të martën kur vajza është larguar nga shtëpia ajo është takuar në stacionin e metrosë në Anthoupolis me 17-vjeçaren dhe një tjetër të mitur dhe ata kanë shkuar në shtëpinë e 17-vjeçares.
Në mbrëmjen e së njëjtës ditë, 15-vjeçarja Fotini është takuar me 22-vjeçarin shqiptar në Aspropyrgos , kanë dalë me miqtë dhe mëngjesin e së mërkurës i riu e ka çuar në shtëpinë që strehohej në Agios Panteleimon.
Pas gjetjes së saj, e mitura është transportuar në spital për ekzaminime mjekësore, ku ka qëndruar e shtruar, ndërsa në të njëjtën kohë është ekzaminuar nga një mjek. Pas përfundimit të ekzaminimeve mjekësore është zbuluar se vajza nuk është shfrytëzuar seksualisht nga shqiptari.