Lajme

Ngjarje e pabesueshme /Babai i mbrojtësit të kombëtares shqiptare largon me sëpatë në dorë personat që i kanë pushtuar shtëpinë …

 

Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur javën e kaluar në Kaldes de Malaveja me protagonist kryetarin e bashkisë të këtij lokaliteti të vogël në Zhirona, Salvador Balliun, babain e mbrojtësit të përfaqësues shqiptare, Ivan Balliu. Një video e tij po bën xhiro në rrjetet sociale, ndërsa shfaq Balliun me sëpatë në dorë teksa kërcënon disa njerëz. Por e vërteta e këtyre pamjeve është paksa e komplikuar.

Kaldes de Malaveja etiketohet shpesh si bashkia me numrin më të madh të shtëpive të pushtuara nga të pastrehë. Meqenëse është një lokalitet pranë Barcelonës ku njerëzit kanë shpesh banesat e dyta, shtëpitë e boshatisura bëhen strehë e personave të cilët futen pa leje. Këtë radhë, ishte vetë Salvador Balliu ai i cili u bë viktimë e pushtimit të një prej banesave që zotëron.

Ai ka shpjeguar për mediat spanjolle se çfarë kishte ndodhur saktësisht në ato momente të dielën e kaluar. “Policia më telefonoi dhe më tha se disa njerëz kishin hyrë në një banesëi që kam në pronësi”, shpjegoi ai dhe sipas policisë, personat në fjalë e kishin pushtuar atë duke menduar se i përkiste një banke. Pasi kishin mësuar se i përkiste një individi, ata i kishin thënë policëve se do të largoheshin brenda dy ditësh. Por gjërat nuk kishin ndryshuar në ditët në vijim.

“Kisha shpenzuar shumë para për të blerë atë shtëpi”, tregoi Salvador Balliu duke zbuluar më pas se të dielën kishte vendosur që të shkonte të ndërronte të gjithë bravat duke menduar se njerëzit që e kishin pushtuar kishin ikur dhe për të rregulluar çdo gjë që mund të kishin shkatërruar në këtë banesë.

“Shkova në një treg kinez pasi ishte i vetmi i hapur të dielën. Atje bleva brava dhe kyçe, ndërsa ngarkova makinën me një kuti me vegla pune, përfshirë edhe një sëpatë. Do të kaloja ditën duke rregulluar dhe kur u nisa mendova se nuk ishte askush. Kalova nga pjesa e mbrapme dhe pashë që kishin ndërruar perdet, dera e oborrit ishte e hapur dhe kur hyra, një qen i madh nisi të më lehte. Ishte edhe një grua e cila më tha çfarë kërkoja në shtëpinë e saj. Çfarë po bëja në shtëpinë e saj?! I thashë që shtëpia ishte e imja!

Pas asaj gruaje u shfaqën dy burra dhe njëri po mbante një shkop në dorë duke më kërcënuar me të. Ata filluan të më ofendonin dhe më shtynë në një cep. Ndaj sapo pata mundësinë të largohesha, shkova dhe mora sëpatën që kisha në bagazhin e makinës. Ishte diçka instinktive. Më mjaftoi që ata nuk i kushtuan vëmendje asaj që po bëja. Por pas përballimit tjetër me ta, unë vendosa të largohem, nuk jam identifikuar kurrë me ta si kryetari i bashkisë, pasi isha atje si pronari i banesës, si një qytetar i thjeshtë”, shpjegoi Salavador Balliu atë që kishte ndodhur. Pas kësaj ngjarje, “pushtuesit” ishin larguar dhe Balliu ishte kthyer për të rregulluar banesën e tij, këtë herë i shoqëruar nga bashkëshortja.

Pasi video u bë publike, kundërshtarët e tij politikë kishin kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, por ai tashmë është kthyer në simbolin e pronarëve të cilët shohin vazhdimisht banesat e tyre të pushtohen nga individë të ndryshëm në këtë zonë./panoramasport/

Related Articles

Back to top button