Lajme

Sizmologu i njohur tregon çfarë e shpëtoi Bosnjën nga tërmeti i fuqishem…

 

Mbrëmjen e djeshme Bosnje Hercegovina u godit nga një tërmet me magnitudë 5.7 të shkallës rihter, ku si pasojë mbeti viktimë edhe një 28-vjeçare.

Sizmologu Tomislav Fiket, në detyrë në Shërbimin Sizmologjik kroat ka theksuar se ky ishte një tërmet i ngjashëm me atë që ka goditur Petrinjën dhe Banijën dhe është më shkatërrues se ai i Zagrebit.

Sipas tij, ky tërmet në Bosnjë dhe ai në Petrinja ka ndodhur në një thellësi prej rreth 10 kilometrash dhe dallimi kryesor është në pasojat e tij.

‘Për shkak të llojit të depozitave të thella të tokës, pasojat në Bosnjë Hercegovinë janë shumë më të lehta se në Petrinja dhe në pjesën tjetër të Banijës. Në zonën e Petrinjës, toka përbëhet nga depozitime aluviale, pra tokë të lirshme, e cila sjell efektin e intensifikimit të tërmeteve. Në Bosnjë, toka është një shkëmb me shtresa për nga thellësia, prandaj pasojat në sipërfaqe janë akoma më të vogla’, ka thënë ai.

Sipas tij përbërja shkëmbore është ajo që e ka shpëtuar Bosnjën nga pasojat e tërmetit.

Eksperti bën me dije se në raport me tërmetin e Zagrebit, ky tërmet është shumë më shkatërrues, por pasojat për shkak të numrit të vogël të popullsisë janë shumë më të vogla. Ndër të tjera ai ka theksuar se pas tërmetit “kryesor”, toka në zonë lëkundet vazhdimisht.

“Deri tani kemi regjistruar rreth 40 pasgoditje, por janë shumë më pak të fuqishme nga sa prisnim”.

Sipas tij, toka duhet të vazhdojë të dridhet për një kohë të gjatë, por pret që të zgjasë më pak se sa ishte në zonën e Petrinjës. Fiket thekson se ky tërmet i fundit i përket kategorisë së tërmeteve shkatërrues, por nuk do ta klasifikonte ndër tërmetet më të fortë.

Ndërkohë kujtojmë se tërmeti i mbrëmjes së të premtes është ndjerë në disa vende të Rajonit si në Malin e Zi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Serbi, Itali dhe Slloveni.

Related Articles

Back to top button