Lajme

Dy ditë kërkime, por asnjë gjurmë për gjetjen e 10-vjeçarit që u mbyt në lumin Fan. Ka dyshime se trupi i vogëlushit mund të ketë ngecur…

 

Në ditën e dytë të operacionit për kërkimin e 10-vjeçarit të mbytur në lumin Fan, policia dhe polumbarët kanë intensifikuar punën për gjetjen e trupit të pajetë.

Korrespondenti i Panorama.al raporton se 14 polumbarë të forcave RENEA po kërkojnë në një perimetër të gjatë të lumit Fan dhe në HEC-in e Repsit, por ende nuk është rënë në gjurmët e të miturit.

Ka dyshime se trupi i vogëlushit mund të ketë ngecur në një urë të prishur disa kilometra larg vendit ku u mor nga rrjedha. Për të parë aty, trupat e kërkim-shpëtimit janë duke devijuar lumin Fan pasi në vend janë mbledhur shumë mbetje të tjera dhe e bëjnë të pamundur kërkimin.

SI NDODHI NGJARJA

Në tentativë për të marrë topin që i kishte rënë në lum, fëmija u përpi nga rrjedha e fortë e ujit. Ngjarja ndodhi pasditen e së martës dhe rrezikoi të marrë përmasa më tragjike gjatë tentativës së vëllait 3 vite më të madh për ta shpëtuar 10-vjeçarin, por nuk ia arriti, duke rrezikuar dhe vetë jetën.

APELI

Daja i të miturit tregon dinamikën e ngjarjes dhe apelon për angazhim më të madh të strukturave shtetërore për gjetjen e trupit.

“Mbrëmë mora vesh lajmin. Po luante top dhe është mbytur në ujë, vëllai i vet është munduar që ta shpëtojë, por nuk ka mundur, lajmëro një, lajmëro një tjetër, s’kanë ardhur shumë njerëz, kanë qenë shumë pak, kemi kërkuar që mbrëmë, Policia nuk ka ardhur në orar, e kanë njoftuar në 17:00, në orën 09:00 të ditës së mërkure kane ardhur polumbarët.

Ishalla do Zoti gjendet, por shteti të marrë masa, jo 5 policë, po nja 30, se lumi është shumë i fortë, merr përpara dhe makinën”, thotë Fatmir Ndreca, daja i të miturit.

Në të njëjtën linjë është dhe një i afërm i familjes Laska. Ai kërkon që të intensifikohen kontrollet përgjatë lumit për gjetjen e trupit të vogëlushit.

“Djali ka qenë dje në orën 03:30, është mbytur në ujë, ka qenë duke luajtur top, ka shkuar e ka marrë topin dhe e ka marrë lumi, që nga ora 05:00 po kërkonim ta gjenim, ka pasur mobilizim të pakët, ka ardhur Policia, janë duke bërë plan si ta gjejnë, prandaj i bëjmë thirrje shtetit që të çohet në këmbë, se me qenë diku tjetër bëhet problem, vetëm në Shqipëri jo. Djali ka qenë me vëllanë e vet dhe 2-3 shokë të vetët, i vëllai ka rënë në ujë deri në fyt për ta nxjerrë dhe ai ka shkuar i lagur në shtëpi, për fat doli dhe shpëtoi, kurse ai i shkreti ka që në 03:00 në ujë, është zall shumë i vështirë, kjo punë do mobilizim të madh, nuk kemi ç’presim, të paktën ta gjejmë dhe ta çojmë te shtëpia, ka shumë pak mobilizim”, thotë Gjon Rrapi, i afërm i familjes Laska.

Në orët e drekës të së mërkurës polumbarët kanë arritur të gjejnë topin, me të cilin po luanin fëmijët 20 km larg vendit të ngjarjes, ndërsa ende nuk është rënë në gjurmët e trupit të 10-vjeçarit.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button