Stil dhe Jete

“Tani shteti nuk mund të më prekë mua në të njëjtën mënyrë si më parë” Aktivistja Xheni Karaj vlerësohet me çmim ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

 

Organizata Civil Rights Defender vlerësoi aktivisten shqiptare Xheni Karaj krahas aktivistit nga Uganda Frank Mugisha duke i shpallur fitues të çmimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të vitit 2022, njoftoi CRD.

“Xheni Karaj nga Shqipëria dhe Frank Mugisha nga Uganda janë dy aktivistët më guximtarë LGBTI+ dhe mbrojtës të së drejtave të njeriut në botë,” bëri të ditur Bordi i Drejtorëve të CRD-së në një njoftim për shtyp.

“Pavarësisht se punojnë në mjedise ku homofobia është e gjithëpërhapur, ata vijojnë të luftojnë me qëndresë këmbëngulëse për të drejtën e çdo individi për të pasur orientimin e vet seksual apo identitet gjinor. Të dy kanë qenë instrumentalë në ndërtimin e lëvizjeve LGBTI+ në vendet e tyre dhe kanë frymëzuar aktivistë LGBTI+ në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe kontinentin afrikan,” vijon më tej njoftimi.

Karaj u shpreh e lumtur për çmimin.

“Këto 13 vite aktivizmi edhe pse plot sfida kanë qënë më të bukurit për mua. Deri në moshën 21 vjeçare mendoja që në këtë botë nuk kishte vend për njerëz si unë. Kur fillova aktivizmin në moshën 21 vjeçare kuptova forcën transformuese që mund të ketë një grup i vogël njerëzish që edhe pse pa privilegjet e shumicës kishin aftesinë të ëndërronin dhe luftonin për të fituar lirinë dhe të drejtat e tyre,” deklaroi Karaj pas marrjes së çmimeve.

Mugisha e konsideroi dhënien e çmimit frymëzues.

“Çmimi më inkurajon mua të vijoj punën time, por më e rëndësishmja, njohja ndërkombëtare përmirëson sigurinë time,” i tha ai medias suedeze QX .

“Tani shteti nuk mund të më prekë mua në të njëjtën mënyrë si më parë. Nëse diçka ndodh dhe unë ndalohem, atyre do t’u duhet të më lirojnë nga burgu,” shtoi ai.

Uganda është një nga vendet e pakta në botë që klasifikon marrëdhëniet homoseksuale si vepër penale.

Related Articles

Back to top button